Kerko ne faqe


Kontakte

TELEVIZIONI

KKRT-ja i prezanton edhe institucioneve shtetërore, Projekt-Strategjinë e dixhitalizimit

20.02.2009 00:00

KKRT-ja i prezantoi sot, përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë dhe institucioneve të tjera publike, Projekt-Strategjinë e Transmetimeve Numerike. Pas 7 konferencave kombëtare dhe rajonale me subjektet radio-tv., KKRT-ja sëbashku me OSBE-në filloi një tjetër etapë informimi dhe diskutimi për procesin e dixhitalizimit të medias shqiptare. Kështu, gjatë paradites së sotme, ajo nxiti seancën e radhës të propozimeve, por këtë herë,  në sferën e institucioneve që do marrin përsipër përgjegjësinë e realizimit të procesit.
Në takimin, që e drejtuan Ambasadori i OSBE-së, z.Robert Bosch dhe Kryetarja e KKRT-së, znj. Mesila Doda, morën pjesë: Kryetarja e Autoritetit të Konkurencës, znj.Lindita Milo; Zv.Ministri i Integrimit, z.Albert Gajo; Këshilltari iKryeministrit, z.Pjerin Marku; Zv/Kryetar i Komisionit të Medias, z.Gëzim Karapici; Drejtori i RTSH-së, z.Petrit Beci; Drejtorja e TVSH-së, znj.Mirela Oktrova; Kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, z.Altin Goxhaj dhe përfaqësues të disa ministrive.
Ambasadori Bosch e konsideroi takimin si fillimin e një bashkëpunimi strategjik ndërmjet KKRT-së dhe institucioneve publike; sipas tij, është e rëndësishme që për këtë proces të rëndësishëm të mblidhen sëbashku të gjithë partnerët për ta diskutuar. Rolin e OSBE-së, ai e vlerësoi si mbështetës për KKRT-në. Në vazhdimësi, këtij qëllimi i shërbeu edhe analiza që paraqiti sot, Këshilltarja Për Lirinë e Medias së OSBE-së, znj. Nora Kovacs me titull “Dixhitalizimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”.
Rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve shqiptare për kalimin e transmetimeve analoge në numerike e nënvizoi qartë edhe Kryetarja e KKRT-së në fjalën e saj. “Duhet te theksohet, tha znj.Doda, se procesi i kalimit nga sistemi analog në atë numerik, është një proces kompleks dhe i vështirë, që kërkon një bashkëpunim ndër-institucional. Ky kalim përfshin një tërësi institucionesh publike, ç’ka do të kërkonte masa dhe aktivitete të vazhdueshme analitike dhe konceptuale që nevojiten të menaxhohen në një nivel qeveritar.
Kjo është, gjithashtu, e qartë dhe nga eksperiencat dhe praktikat e ndjekura ndërkombëtare në lidhje me kalimin në sistemin numerik, në të cilat del qartë fakti që “kalimi në transmetimet numerike mund të ngadalësohet nëse ky kalim i  lihet plotësisht mekanizmave të tregut; ndërhyrjet e sektorit publik janë të dobishme në aspektin e rregullimit, mbështetjes financiare për konsumatoret, fushatës informuese apo mbështetjes për të kapërcyer dobësitë e caktuara të tregut”. Kjo nënkupton që, për të realizuar një menaxhim të suksesshëm të të gjithë procesit të kalimit nga sistemi analog në atë numerik, do të jetë e nevojshme një koordinim i të gjitha procedurave brenda fazave të ndryshme të saj. Për këto arsye, është e nevojshme ngritja dhe funksionimi i strukturave institucionale dhe teknike, në përbërje të së cilave duhet të përfshihen edhe institucionet që ju përfaqësoni,  të afta për të drejtuar  këtë ndryshim të peizazhit audio-vizual shqiptar.”
Më pas, Forumi vijoi me diskutimet e përfaqësuesve të institucioneve lidhur me mënyrat dhe format e realizimit të këtij procesi brenda afateve të përcaktuara.

 

Zëdhënësja
Armanda Shtëmbari

Tags:

| |